Legjislacioni i BE-së për gjuhët
Deri më sot, BE-ja ka përcaktuar 24 gjuhë zyrtare. Parimi themelor që udhëheq politikën në favor të gjuhëve është vizioni se evropianët duhet:
- të jenë në gjendje të kontribuojnë në ndërtimin e Evropës
- të informohen për gjithçka që BE-ja mbron dhe bën
- të kenë akses në legjislacionin evropian në një gjuhë që e kuptojnë.
Shembulli i parë i legjislacionit evropian në favor të gjuhëve është Rregullorja nr. 1 e vitit 1958, e cila përcakton gjuhët zyrtare dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Gjuhë të reja janë shtuar me anëtarësimin e shteteve të reja në Bashkim. Megjithatë, numri i gjuhëve zyrtare është më i vogël se numri i shteteve anëtare, sepse disa vende kanë të njëjtën gjuhë. Në Belgjikë, për shembull, gjuhët zyrtare janë frëngjishtja, holandishtja dhe gjermanishtja, ndërsa në Qipro shumica e popullsisë flet greqisht, që është gjuhë zyrtare e shtetit.
Traktati themelues i BE-së përcakton se qytetarët evropianë kanë të drejtë t’u drejtohen institucioneve të BE-së në cilëndo gjuhë zyrtare që zgjedhin dhe të marrin përgjigje për pyetjet e tyre në të njëjtën gjuhë.
Kush vendos për gjuhët zyrtare që përdoren në BE?
Çdo vend, përpara anëtarësimit në Bashkim, përcakton gjuhën ose gjuhët që dëshiron të miratohen si zyrtare në marrëdhëniet me institucionet e BE-së. Megjithatë, jo të gjitha gjuhët zyrtare të shteteve anëtare janë kandidate për t’u përdorur si gjuhë zyrtare të BE-së. Vendimi fillestar i vendit mund të ndryshojë më vonë, me kusht që të gjitha qeveritë e shteteve të tjera anëtare të bien dakord.